Përmbledhja e poezive për Çmimin AIITC

NJOHJE

Madhësia e hënës varet nga distanca,
Po s’iu afrove, po s’tu afrua – nuk e sheh vërtet bukurinë e saj!
Edhe të vërtetat janë kështu!
Nuk afrohesh t’i shohëh dhe të duket se nuk janë pastaj!
Të thuash të vërtetën është akti më paçtues në ekzistencë,
Se largon ndryshkun në shpirt e mendje, të kthen në esencë!
Në natyrën e pastër, të bardhë!
Sa dua gjithçka në Tokë të jetë e bardhë!
Çdo i përvuajtur me fatin e Jusufit të përfundojë,
Çdo i mallëngjyer si Jakubi të durojë! Dhe të ketë mall, gjersa sytë t’i verbërohen,
Në fund ta gjejë të dashurin e zemrës së tij, shpirtrat e pastër të mos lëndohen!
Kur të dalin njerëzit përballë njëri-tjetrit, buzëqeshje e butësi të shohin.
Si Musai, humbjen e shpresës të mos e njohin!
Ti dhe vetja jote, të mos ndaheni çdo mëngjes, dikush tjetër për t’u bërë!
Njerëzit nuk e dinë!
Sa shumë kemi jetuar, akoma jetën s’e kemi njohur!
Sa më shumë që ngrohet planeti ynë, duket se zemrat na janë ftohur!
Shtatë kat qiej na thërrasin sipër, ne me ngulm hidhemi humnerave të kapërcyera mijëra herë,
Ecim nëpër Tokë, s’i shohim ata që kanë shkuar me oshëtimë e erë!
Me të vërtetë bota është një top që rrotullohet,
Prandaj na duket lodër!
Por peshoren e qiellit e lëviz një e bëmë padukshmërisht e vogël!
Nga të verbrit ka shumë,
Nga dielli e hëna dritën që vjen që nuk e shohin,
Veten pa e parë, si mund njerëzit Gjithësinë ta njohin!

MESNATË

Veç fjalë të pastra të thuash në një botë që vjell çdo ditë!
E pastër të mbetesh, mes fëlliqësirash!
E bardhë, mes errësirash!
Të lahesh çdo mesnatë, me lotët e pastër të shpirtit, me lule të bardha të mbulohesh!
Në çarçafë bore të mbështillesh, çdo mesnatë…
Në terrin e thellë ta ngjallësh botën tënde të bardhë!
Nën dritën e brishtë të hënës, t’i heqësh ngadalë ferrat që t’i ngjet dita,
Në lulebore t’i shndërrosh…
E qetë, pezull në ajër e ngritur, të gjitha ultësirat të rrjedhin dhe të zhduken t’i lëshoh!
E lehtë! Bardhë dhe ndritur!
Në errësirën e thellë, botën tënde ta ndriçosh!
Me buzëqeshje të kthjellët, trup të lagur, në këmbë të qëndrosh!
Me fytyrë mbi tokë, Gjithçkanë në një pikë të vetme ta ndiesh!
Mijëra vite drite larg, në zemrën tënde… Dashurinë ta takosh!
Ora ndalet, i tërë unversi pushon! Në atë çast, je veç ti dhe Ai.
Asgjë tjetër s’frymon! Dashuri e shpirtit!
Sa më shumë ulesh përtokë pranë Tij,
Më lart të ngre te Vetja!
Të ka mbuluar me bekime, dritë! Aq shumë dritë!
Fshehtësitë janë për t’i mësuar,
E plotë.
Zot i botëve,
Sa shumë dashuri ke krijuar!

KUFI

Kufijtë i kam shpërthyer!
S’ka më mure fildishi, as gardhe të hekurta, s’ka pengesa që ngriheshin patetikisht!
Drita Jote kur shkruan mbi shpirtra, gojët pushojnë, përjetësisht!
Kufijtë kanë rënë në një shpërthim buçitës, shndritës!
Farat e mugulluara të ëndrrave kanë mbirë, aq bukur dhe papritur!
Përsëri, me aq shumë mall!
Sa shumë mall!
Pse të gjitha zemrat vënë parzmore para të tjerave për të dalë?
Ç’botë kemi krijuar!
Më të butat gjëra i mbështjellim me korace metali, të plumbëta, butësinë e tyre për ta ruajtur!
Për dhimbjen kanë dëgjuar të gjithë, por fytyrën ia njohin veç ata që e kanë vuajtur!
Të gjithë shpërndajnë këshilla të bukura falas,
E për veten u vendosin më të lartin çmim,
Prandaj, mbesim duke i shitur mend botës,
E lëmë të rritet egjra nëpër mendimet e fjalët tona,
Pastaj, ligji i pasqyrave na bën t’i shohim të tjerët me përçmim!
Ç’botë kemi krijuar!
Dhe s’mund të presësh të dojë bota ashtu si do ti!
Se veç ti ke parë fundin e humnerave dhe je kthyer,
Kur hidhërohet bota për një fjalë të pathënë,
Ti gëlltit lumenj pakujdesie,
Dhe s’vijnë ngadalë, por papritmas – për të të ngulfatur,
Hesht!
Me rëndësi është të kuptohesh pa folur!
Fuqi është kur çdo mëngjes u buzëqesh ballëve që shohin mrrolur!
Çka do t’i thuash vetes kur ta takosh përfundimisht?!
S’e kam ditur kush e ç’je?!
A nuk e ke dëgjuar si të ka thirrur vazhdimisht?!

KTHIM

Në gjendje dukshëm zbrazët…
Shpirt i qetësuar!
I lodhur nga stuhitë e përditëshme të lotëve, drithërimave që askujt s’ia ke treguar!
Ti je Dëshmitar i dridhjeve të mia!
I trishtimit të Jusufit në bunar!
Kam thënë që më nuk do të kthehem te lajkat e vetes sime të vjetër,
Ke thënë se malet i shndërron në oqeane mëshire,
Gjithçka, veç unë e Ti kemi parë!
Tani më ndihmo xhamat e syve të mi t’i fshij!
Nuk dua të mbaj mend asgjë,
Mjafton Ti të më qëndrosh pranë,
Me dobësinë e tyre në fuqi të shndërruar,
The, eja te Unë! T’i kam mbyllur të gjitha dyert që të mos kesh ku tjetër të shkosh!
Se zemra e mendja e lodhur veç te Unë pushojnë, ta kuptosh!
O Dritë!
I Dashur mbi të gjithë të dashurit!
Përulësisht jam ulur pranë Madhështisë Sate, pres të më kthesh në jetë!
Çdoherë kur jam rrëzuar ka qenë pse kam menduar se mundem vetë!
Kam ardhur!
Në çdo ëndërr timen je Ti!
Ke thënë, ti eja duke ecur ngadalë, Unë do të vij me shpejtësi!
Unë vrapoj drejt Teje, ç’mrekulli do të bësh këtë herë Ti!
Subhanek!

MALL

Malli im s’është për botën, për ta parë!
Në thellësitë më të mëdha e lë të fle, pa e trazuar!
Po të ngritej me gjithë fuqinë sa ka, do të trishtohej kjo botë e llastuar!
Asgjë s’ke parë! Ç’është ky mall?!
Pa fjalë e zë që kanë domethënien e gjithçkasë a mund të vazhdosh të flasësh?
Përpjekjen për të qëndruar e fortë përballë dobësisë më të madhe, sa mund ta zgjasësh?!
Të kota janë të gjitha mohimet kur më të vërtetat dalin vetë, pa të pyetur!
E dinë destinacionin që i pret. Të fshehtat e zemrës ka kohë që të kanë ikur.
Në çdo sekondë e di ç’bën e ç’bëhet, se vetja atje të ka shkuar!
Pas zbrazëtirës që ka zgjatur një jetë, duhet të mësosh në univers përplot yje për të jetuar!
Mes dhuratash memece që flasin, por s’e lajnë mallin e bardhë që bymehet,
Pse pret veten te ti të kthehet? Shko!
Të pret si asgjë tjetër! Të pret më shumë se çdo gjë tjetër!
Përballë tempullit më të shenjtë të shpirtit që lahet çdo ditë me lotë,
S’mund të qëndrosh pa u rrëqethur, ndonëse është gjëja e vetme që të sjell paqe në këtë botë!
Shko! Ke kaluar mjaft nga testimet! Në një botë të re, me ngjyra, që e njeh për nga vibrimet!

HIMN

Gjithçka merr vlerë kur shkon!
Si malli, asgjë tjetër zemrën më shumë s’e shtrëngon!
Ngadalë, fshehtas… ashtu siç bëhet çdo krim në gjithësi.
E përqafon njëherë, çdo sekondë më shumë duke e shtrënguar..
Dhe ç’shtrëngim është shtrëngimi i tij!
Për një çast ngrijnë të gjitha fjalët.
Si malli, asgjë tjetër s’vret! Tinëz!
Dhe s’guxon të flasësh! Të tregosh sa shumë të mundon.
Se ke frikë ëndrrat të mos i njollosësh! Botës mallin s’ke pse ia tregon!
Netët e gjata të verës shndërrohen në udhë pa krye që s’mbarojnë!
Çdo send përreth duket se të shikon, me keqardhje… veç më shumë të mundojnë!
Prania e çdo gjëje dhemb kur mungon e vetmja gjë që shpirtin ta plotëson!
Sa të kota janë piskamat e njerëzve, asgjë nuk ndryshojnë!
Dhimbjet e bardha s’nxjerrin zë, vetë më vete vajtojnë!
Kur flet sa s’bën, pastaj fjalët e tua s’i njeh!
Kur të mbushet shpirti me dritë, s’mund të durosh, nga brenda rrjedhin lumenj fjalësh,
Himne falënderimi e mrekullimi me dritën, nga Drita.

PSE

Pse-të çdoherë më kanë munduar, më shumë se ç’duhet!
Me to jam rritur, sepse-të duke ua kërkuar!
Në njerëz kam lypur, në gjethe, në lumenj e drurë!
Pa e parë veten, e di që s’kam pasur për t’i gjetur kurrë.
Mbi male kam dashur të hip, qiellin për ta shpuar,
Mos do të rrjedhin poshtë përgjigjet për pse-të e mendjes sime të ngatërruar,
Shpirt endacak, me mendje të stërngarkuar!
Të gjithë thonë përgjigjet janë në libra,
Në libra janë çelësat e dyerve!
Pa kërcyer në vorbullat e panjohura, s’u hiqen perdet syve!
Në një fytyrë, në një buzëqeshje,
Mund t’i marrësh të gjitha kodet për të fshehtat e botës,
Në qenë për ty për t’i lexuar, papritmas do të hapet çdo derë ku ke trokitur!
Kërcëllimat që ke menduar,
Do të jenë zë sirenash që të ndjellin papritur!
Mbaje mend veten!
Të gjitha n’i harrofsh!
Udhëve të stërshkelura kur të ecësh,
Me zemër drejt qiellit të gjitha gropat do t’i kalosh!
Pse veten e gënjejmë dhe s’dënohemi?!
Pse me gjërat që duam më së shumti lëndohemi?!
Pse nuk rrijmë të bardhë, por mbushemi me ngjyra?!
Një holi jo i shenjtë, as monstrumet në përralla s’kanë më shumë se tri fytyra!
Pse qielli s’bie për të na përqafuar, sa kohë ka kaluar?!
Pse na do akoma toka, e mavijosur, sa shumë jemi lënduar!
Nga kanibalët e mishit tmerrohemi, pse bëhemi kanibalë shpirtrash?!
Pse-të janë në të përfunduar..
Pse qielli s’bie për të na përqafuar, sa kohë ka kaluar!

MAJ

I ke parë lulet e majit, të freskëta e me vesë
Si sytë që nga pastërtia dhe dashuria për Ty lotojnë,
Sa shumë bukuri e qetësi ka në Qenien Tënde,
Sytë e mi të dheut, për të të parë ëndërrojnë.
E ke parë zemrën kur me përulje qetësohet pranë Teje,
Toka dhe qielli s’janë më kufij,
Duart çdoherë lodhen, por mund veten të mos e duan
Ka shtangie që të sjell në jetë nga bukuritë,
Dhe shtangie që të vret çdo ditë nga pak,
Saherë e kujton,
Kur nuk gjen forcë për ta larë veten,
Urrejtja ndaj vetes vazhdon.
Nuk ka gjë që vret më shumë se urrejtja që nga brenda buron.
Engjëjt nuk vdesin.
Lahen çdo ditë, pastrohen. Lindin sërish pas çdo vrasjeje çasti.
Sa bukur është të jesh engjëll.
Zot i engjëjve,
Bëj engjëll nga unë; veten më shumë ta dua.
Hiqi të papastrat që vetja ime ka ngjitur në mua.
Në fleta librash pastrohen engjëjt, kthjelltësi e paparë.
Në fjalët nga Ti e për Ty,
Ilaç tjetër s’ka.
Gjithçka je Ti.
Hidh dritë në zemrën time,
Ujë, lule, parfum, yje, perla, gjethe, borë.
Më laj,
Bëj engjëll nga unë.
I ke parë lulet e majit, të freskëta e me vesë,
E tillë do të bëhem.

SHPIRT

Thuaj: unë jam ti!
Shpirti im, të mos harroj nga kam ardhur.
Jam ide, zë, mendim!
Jam dashuri!
Më thuaj ç’jam në të vërtetë, të mos harroj se jam ti!
Valci i mishit më tërheq symbyllur,
E humbur në librat e mi,
Dashuritë e mia kërkojnë shekuj për të mbirë,
Kur mbijnë, lëshojnë rrënjë të pashkulshme, që dalin me copa nga shpirti im!
Saherë kam dashur të mos dua, në vrimën e bardhë të zemrës sime të jesh veç Ti,
Bëhu mbreti i dashurive të mia! Asnjë të mos ngrejë krye pa folur Ti!
Unë jam ti. Shpirti im!
Je degëzuar! Si do të përmblidhesh e të bëhesh nji!
Prapa në botën time me ngjyra që s’e njeh njeri.
Aty jam ti.

KUPTIM

Brendësia nuk del çdoherë të shtrihet mbi letër,
Më e mahnitshme kur bëhet, struket! Kyçet nën mijëra dryna, ngujore!
Po të dilte, do të shkrihej kjo botë e pavlerë nga bukuria e saj,
I gjithë universi është strukur në ëndrrën time fëmijërore!
Ç’gjë! Asnjë emër, asnjë definicion sipër s’e duron!
Bota e merr për të zakonshme, si gjërat që i ka mësuar,
Truri im ulur me duar nën mjekërr, si fëmijë i pafajshëm, i mahnitur e vrojton!
Gojës më kot i lutet të flasë, s’guxon!
Ka parë si fjalët e mia turpërohen para energjisë sime të tretë – një supernova në lindje të
vazhdueshme!
Veç vetja ime kupton.
Këngët e tingujt që kam dëgjuar me shekuj,
Të reja bëhen, një univers i tërë në kokë më rritet, çdo ditë më frymëndalës!
Ç’mrekulli!
Fjalë s’kam, por të gjitha kuptimet e ndritura më janë hapur,
Edhe zemra më është bërë sy!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s